Greqia synon t’i shesë Indisë 18 avionë të saj Mirage 2.000 të prodhimit francez, të cilët i nxori nga përdorimi në vitin 2022.
“Forcat Ajrore Greke po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë në Indi, një sugjerim për të cilin janë në dijeni edhe Ministria e Mbrojtjes dhe zyra e kryeministrit”, shkruan e përditshmja Kathimerini.
Greqia dhe India janë pothuajse gati të finalizojnë marrëveshjen dhe nuk përjashtohet mundësia që shitja të mund të propozohet nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një vizitë të ardhshme në New Delhi, shtohet më tej.
Sipas së përditshmes, Forcat Ajrore Greke kanë pritshmëri të ulëta për çmimin e shitjes së avionëve, në rastin më të mirë disa milionë euro, pasi ato nuk janë në gjendje shumë të mirë.
Vendimi për shitjen e avionëve Mirage që janë jashtë përdorimit pritet të ketë më shumë përfitime politike sesa ekonomike, thuhet ndër të tjerash.
Ndryshe, javën e kaluar ShBA-ja njoftoi se është marrë vendimi që Greqisë t'i shiten 40 avionë luftarakë F-35.