Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, mohon të shtyhet ose të anulohet Rregullorja që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë nga 1 shkurti i këtij viti.
I pyetur nëse do të shtyhet ky vendim, ai ka thënë se e njëjta mund të ketë një tranzicion, derisa shtoi se qytetarët serbë janë të mirëseardhur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës.
“Qysh me shty, çka me shty, a i bien që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionin , ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”, tha Ismaili.
Ndër të tjerash, ai po ashtu theksoi se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK-ja.
“Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar. Nëse për zbatimin e rregullave duhet një kohë e arsyeshme, është çështje që për ne këto janë rregulluar”, përfundoi Ismaili.
Vendimi i BQK-së për ndalimin e valutës së dinarit serb në Kosovë ka shkaktuar reagime të shumta tek qytetarët serb të Kosovës, e madje edhe te autoritetet serbe të cilët nuk pajtohen me këtë vendim.