Kryediplomati shqiptar po qëndron në Stokholm, ku pas takimit me homologun suedez shkroi se në takim u diskutuan marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe mundësitë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, tregtar si dhe investimet midis Suedisë dhe Shqipërisë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë Igli Hasani gjatë vizitës që po zhvillon në Stokholm pati një takim me homologun suedez, Tobias Billstrom.
Hasani theksoi se në takim u diskutua për marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe mundësitë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, tregtar si dhe investimet midis Suedisë dhe Shqipërisë.
“Suedia është një avokate e fortë për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor. Shpreha vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen dhe ndihmën e vlefshme teknike të Suedisë në këtë rrugëtim”, nënvizoi Hasani në një postim në rrjetet sociale.
“Të bashkuar në qëndrimin tonë kundër agresionit rus dhe mbështetjen për Ukrainën, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë së bashku si aleatë të NATO-s për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin”, shtoi më tej ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.