Gjatë ditës së djeshme janë hequr barrikadat e vendosura më 10 dhjetor nga serbët lokalë në veri të Kosovës. Megjithatë, dy pika kufitare, ajo në Jarinjë dhe tjetra në Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura sot.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar në pikat e tjera kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.
Kujtojmë se barrikadat u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Për 18 ditë, një pjesë e serbëve të Kosovës bllokuan rrugët dhe vendkalimet kufitare me Serbinë përmes barrikadave. Grupe kriminale dhe të maskuara sulmuan Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX. Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar dhe i është nënshtruar trajtimit mjekësor.
Por, ndryshimi i masës ndaj Pantiqit nga paraburgimi në arrest shtëpiak hapi rrugën për heqjen e barrikadave.