Katër të dënuar me burg për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë / Photo: AP

Ka përfunduar në Kosovë gjykimi për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku janë dënuar katër persona ndërsa një është liruar nga akuzat..

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me katër vjet e gjashtë muaj burgim Nedellko Spasojeviqin për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen, Marko Roshiq, është dënuar me dhjetë vjet burgim për veprën penale pjesëmarrje në krim të organizuar, ndërsa ndërsa Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, janë dënuar me nga katër vjet burgim. Nga akuzat është liruar i dyshuari Sillvana Arsoviq.

Të dënuarit Spasojeviq, Markoviq dhe Jovanoviq punonin si oficerë policie në veri, në kohën kur ndodhi vrasja e ish-politikanit.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista serbe, e quajti “të pa bazuar në prova” dhe të “motivuar politikisht” vendimin e gjykatës. Derisa Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe e cilësoi si "skandaloz" aktgjykimin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor 2019 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Udhëheqësi i nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq, u vra në orët e para të 16 janarit të vitit 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut nga të shtënat e një veture në lëvizje.

Gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit kishin mohuar fajësinë disa here në Gjykatën Themelore në Prishtinë.


AA