Një organ kyç i Bashkimit Evropian i kërkoi të enjten Athinës të respektojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që synojnë të mbrojnë pakicën etnike turke të Greqisë, duke përfshirë komunitetin turk prej 150.000 banorësh në verilindje.
Në takimin në Strasburg të Francës, Komiteti Ministror i Këshillit Evropian shprehu shqetësim të thellë se 15 vjet nga vendimet e qarta të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj), ende nuk ka pasur asnjë regjistrim të grupeve minoritare, ndërkohë që Unioni Turk Iskekce mbetet i mbyllur ilegalisht.
Në një komunikatë, organi i BE-së tha se pavarësisht miratimit të ligjeve nga Greqia në vitin 2017 që lejonin çështjet përkatëse gjyqësore të ecin përpara, aplikantët e pakicës turke tani kanë ezauruar mundësitë në dispozicion të tyre brenda sistemit të brendshëm.
Ajo përsëriti thirrjen e saj për autoritetet greke që urgjentisht të marrin masa për të drejtat e pakicës turke, duke theksuar se liria e shoqërimit në një shtet demokratik ka një rëndësi thelbësore, siç theksohet nga GjEDNj-ja.
“Ai u kërkoi autoriteteve (greke) të shqyrtojnë pa vonesë të mëtejshme të gjitha rrugët e mundshme në mënyrë që të zbatohen plotësisht dhe me efektivitet vendimet e Gjykatës Evropiane dhe të parandalohet përsëritja e shkeljeve të ngjashme”, thuhet në komunikatë.
Komiteti gjithashtu “inkurajoi autoritetet greke të përdorin plotësisht ndihmën dhe ekspertizën e Këshillit të Evropës në këtë fushë, për të siguruar përputhjen e çdo mekanizmi të ri regjistrimi me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Lufta e gjatë për të drejtat
Sipas një vendimi të GjEDNj-së të vitit 2008, e drejta e turqve në Thrakinë Perëndimore për të përdorur “turqisht” në emër të shoqatave ishte e garantuar, por Athina nuk ka arritur të zbatojë vendimin, duke ndaluar efektivisht identitetin e grupit turk.
Rajoni i Thrakisë Perëndimore të Greqisë është shtëpia e një komuniteti mysliman turk prej rreth 150.000 banorësh që datojnë nga koha osmane.
Në vitin 1986, Unioni Turk i Ksanthit (Iskece Turk Birligi) u ndalua me pretekstin se fjala “turke” në emër të tij ishte e paligjshme.
Për të zbatuar vendimin e GjEDNj-së, në vitin 2017 parlamenti i Greqisë miratoi një ligj që u mundësonte grupeve të ndaluara të aplikonin për riregjistrim, por legjislacioni përfshinte boshllëqe të mëdha që frustronin pakicën.
Türkiye ka dënuar prej kohësh shtypjen greke ndaj të drejtave të pakicës së saj myslimane dhe turke, nga mbyllja e xhamive dhe shkollave të pakicës turke e deri te refuzimi i lejimit të myslimanëve turq të zgjedhin liderët e tyre fetarë.