KE-ja mori një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BeH-në.     /Foto: AA / Photo: FENA

Këshilli Evropian mori vendim të enjten për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën.

Vendimi është marrë në samitin e djeshëm të liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, ndërsa informacionin e ka konfirmuar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në profilin e tij në X

"Këshilli Evropian sapo ka vendosur të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën. Përgëzime! Vendi juaj është në familjen tonë evropiane. Vendimi i sotëm është një hap kyç përpara në rrugën tuaj drejt BE-së. Tani ne duhet të vazhdojmë punën e vështirë në mënyrë që Bosnjë e Hercegovina mund të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, ashtu siç dëshiron populli juaj”, tha Michel.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian publikoi një raport në të cilin arriti në përfundimin se BeH-ja përmbush mjaftueshëm kushtet për fillimin e negociatave të pranimit me BE.

Në dhjetor 2023, udhëheqësit e BE-së shprehën gatishmërinë e tyre për të hapur negociatat e pranimit kur BeH-ja të arrijë përputhjen e nevojshme me kriteret për anëtarësimin në BE. Ata i bënë thirrje Komisionit Evropian (KE) që të raportojë në Këshillin Evropian për progresin jo më vonë se marsi i këtij viti, me qëllim marrjen e një vendimi.

Bosnjë e Hercegovinës iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, pothuajse shtatë vjet pasi ajo aplikoi për anëtarësim në BE në shkurt 2016.

Sipas opinionit të Komisionit Evropian nga viti 2022, u tha se BeH-ja duhet të zbatojë 14 prioritete kyç që lidhen me fushat e demokracisë dhe funksionalitetit të shtetit, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe reformën e administratës publike, në mënyrë që të përmbushë kriteret. për anëtarësim në BE.

TRT Balkan / agjencitë