KFOR-i për situatën në veri të Kosovës: Palët të përmbahen nga nxitja e tensioneve.     /Foto: Reuters

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë.

KFOR-i në një komunikatë për media ka sqaruar se qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim. Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Ata, mes të tjerash, i i kërkojnë Beogradit dhe Prishtinës të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.

Ndryshe, protestuesit serbë gjatë ditës së sotme sipas Policisë së Kosovës kanë tentuar të futen dhunshëm në objektin e Komunës së Zveçanit, me çka policia ka interevenuar duke përdorur sprejin për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.

TRT Balkan / agjencitë