Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) që vepron në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë rinovoi dhe hapi klasën kompjuterike të shkollës së mesme teknike "Mimar Sinan" në Komunën e Mitrovicës në veri të vendit.
Në ceremoninë e zhvilluar në shkollë morën pjesë ambasadori turk Sabri Tunç Angılı, kryetari i komunës së Mitrovicës Bedri Hamza, kreu i KFOR-it turk koloneli Recai Yılmaz, si dhe përfaqësues të institucioneve turke në vend, mësues dhe nxënës.
Angılı, në fjalimin e tij në aktivitet, tha se vendi i Kosovës në zemrën e Türkiyes është i madh.
Ai theksoi se Türkiye ka përgjegjësi për Kosovën, të cilën e sheh si vend mik dhe vëlla. "Ne si Türkiye e mbështesim Kosovën që të qëndrojë në këmbë me të gjitha institucionet e saj dhe mendojmë se kjo do të jetë shumë e dobishme si për Kosovën, ashtu edhe për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit", tha ambasadori.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Hamza, nga ana e tij tërhoqi vëmendjen në ndihmat e Türkiyes ndaj Kosovës. "Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për popullin turk, shtetin e Türkiyes dhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan për përkrahjen e gjithanshme për shtetin e Kosovës", tha ai.
Ndërkaq, kreu i KFOR-it turk Yılmaz potencoi se Kosovën e mbështesin me projekte në çdo fushë, por rëndësi të madhe u kushtojnë projekteve në fushën e arsimit, që do të krijojnë të ardhmen e vendit.
Pas fjalimeve, të ftuarit prenë shiritin e hapjes së projektit të rinovimit të klasës së kompjuterëve dhe vizituan sallën.
Në kuadër të projektit është rinovuar klasa e kompjuterëve dhe janë blerë kompjuterë dhe pajisje të tjera të nevojshme. Shkolla teknike, e cila filloi punën në vitin 1946, prej vitit 1992 shërben me emrin "Mimar Sinan".