KFOR-i Turk vazhdon mbështetjen në fushën e arsimit në Kosovë. / Foto: AA

Në Prishtinë është mbajtur ceremonia e hapjes së klasës së kodimit robotik në shkollën fillore "Elena Gjika", e cila ofron arsim në gjuhën shqipe dhe turke, nga delegacioni përfaqësues turk në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Në ceremoni morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës Donjeta Sahatçiu, kryetari i delegacionit të përfaqësuesit turk të KFOR-it kolonel Sabri Gökhan Karamürsel, si dhe përfaqësues të institucioneve turke, mësues dhe studentë.

Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori Angılı tha se Türkiye dhe Kosova kanë një histori të rrënjosur thellë dhe se me projekte të tilla po ndërtohet një e ardhme e përbashkët.

Ministri Damka përkujtoi se Türkiye i ka dhënë mbështetje të madhe Kosovës para, gjatë e pas luftës dhe theksoi se mbështetja e tyre synon ta bëjë Kosovën një vend të zhvilluar dhe të fortë.

Koloneli Karamürsel theksoi se është kënaqësi që po ndërmerren hapa për të ardhmen e ndritur të Kosovës.

Pas fjalimeve, të ftuarit prenë shiritin e hapjes së klasës së kodimit robotik dhe më pas panë nga afër këtë klasë.

Ceremonia u mbyll me një koncert të mbajtur nga nxënësit e kësaj shkolle.

Falë kësaj mbështetjeje, Shkolla Fillore "Elena Gjika", e cila ofron mësim në gjuhën shqipe dhe turke, u bë shkolla e parë publike në Prishtinë që ka një klasë të kodimit robotik. Delegacioni përfaqësues turk në kuadër të KFOR-it së fundmi ka financuar një klasë të ngjashme në shkollën fillore "Motrat Qiriazi" në qytetin e Prizrenit.


TRT Balkan / agjencitë