Kitaristi i muzikës klasike, 11-vjeçari Ledion Halitaj, është zgjedhur fituesi i sivjetshëm i çmimit Evropiani i Vitit nga zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë pritjes me rastin e Ditës së Evropës në Prishtinë ka theksuar se Ledioni është “një model i vërtetë dhe një pishtar i shpresës”.
Ky është viti i tetë me radhë që BE-ja i ndan këtë çmim në Kosovë një personi që gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane.
Të nominuarit për Çmimin e vitit 2023 ishin Driton Toni Kuka - trajner i ekipit të xhudistëve të Kosovës, Egzon Syla - komandant i ekipit të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Gordana Đorić - drejtoreshë e OJQ “Avenja”, Indra Jashari - mësimdhënëse në shkollat “Tefik Çanga” dhe “Vezir Jashari”, si dhe Ledion Halitaj, muzikant i ri.
Ndonëse familja e BE-së në Kosovë propozoi të nominuarit, është populli i Kosovës ai që e zgjodhi fituesin duke votuar në kanalet e mediave sociale të BE-së në Kosovë.
Pesë të nominuarit ia kushtuan jetën dhe punën e tyre fuqizimit të grave në biznes, çështjeve të komunitetit dhe sportit, promovimit të multi-kulturalizmit dhe angazhimit aktiv të të rinjve në jetën kulturore të Kosovës.
“Është kënaqësi e madhe për mua që t’ia japë të riut Ledion Halitajt çmimin Evropiani i Vitit 2023. Fakti që shumica e kosovarëve votuan për të në garën me znj. Gjoriq, znj. Jashari, z. Kuka dhe z. Syla, dëshmon se shoqëria pret me padurim gjeneratën e saj të re që ta çojë vendin përpara dhe BE-ja do të jetë këtu për t’i mbështetur në avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, tha ambasadori Szunyog.
Në tekstin e nominimit onlajn të Ledion Halitajt shkruante se, “Ledioni (11-vjeçar) është një kitarist i talentuar dhe i njohur i muzikës klasike. Brenda dy viteve, ai fitoi 15 çmime në festivale ndërkombëtare në Kosovë dhe në mbarë Evropën, si dhe katër çmime publike. Ai fitoi çmimin e tij të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani, Rumani, kur ishte vetëm 9-vjeçar. Ledioni gjithashtu ka ndjekur një kurs për kitarë me kitaristë të klasit botëror dhe është shembull për të gjithë muzikantët e tjerë të rinj dhe aspirantë”.