Komandanti i Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë - KFOR, Özkan Ulutaş, ka vizituar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Millan Mojsiloviq në Beograd.
Siç njofton KFOR-i, në këtë takim midis tyre është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.
“Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për situatën e sigurisë në Kosovë dhe u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë”, thuhet në njoftim.
Më tej, është bërë e ditur se komandanti Ulutaş ka thënë se KFOR-it mbetet i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij, gjë që e konsideron çelës për stabilitetin rajonal.
“Komandanti Ulutash ripohoi se KFOR-i mbetet i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të Organizatës së Kombeve të Bashkuara bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë të vitit 1999 - për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ky është çelësi për stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.