Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka organizuar konferencën “Barazia Gjinore dhe Diversiteti” me temë “Loja e barabartë – gratë në udhëheqje”.
Në këtë konferencë morën pjesë udhëheqës të sportit në Kosovë, udhëheqës të bizneseve dhe olimpistë të Lojërave Olimpike nga Kosova.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se konferenca përfaqëson hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi gjithëpërfshirës ku femrat mund të udhëheqin dhe ta arrijnë potencialin e tyre të plotë në sport.
Krasniqi tha se janë të përkushtuar për të krijuar mundësi të barabarta dhe të promovojnë përfshirjen e femrave në çdo nivel, trajnim, pjesëmarrje apo në udhëheqje.
“KOK-u është bërë një lokomotivë e promovimit të rolit të gruas në sport, duke fuqizuar dhe mbështetur femrat për të ndërtuar karrierë dhe për të marrë përgjegjësi që lënë gjurmë në komitetin tonë dhe më gjerë”, theksoi Krasniqi.
Vjollca Krasniqi, nga bordi ekzekutiv i KOK-ut, tha se vitet e fundit është vërejtur një përmirësim i numrit të femrave në pozita të ndryshme në federata sportive. Ajo tha se objektivi është që barazia gjinore të jetë edhe në pozita udhëheqëse në sport.
“Sukseset kryesore të sportit në Kosovë po vijnë nga vajzat. Andaj, nëse mburremi me rezultate, përse të mos e rrisim numrin e vajzave dhe grave edhe në udhëheqje”, theksoi ajo.
Kosova nga Lojërat Olimpike të “Rio 2016” deri në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” arriti të fitojë pesë medalje olimpike: tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, që të gjitha në xhudo dhe të gjitha të fituara nga femrat.