Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës, realizoi takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët: Imerlije Saliu-Fetai, kryetare e Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, dhe Toni Jarevski, anëtar i Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës.
Kryetari Gashi falënderoi për pritjen e përzemërt dhe theksoi se kjo vizitë është një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe konstruktive dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, si dhe i bashkëpunimit të frytshëm midis dy shteteve në të gjitha nivelet.
Gashi vlerësoi se bashkëpunimi parlamentar dypalësh ka një dinamikë intensive, me tendencën që ky trend të vazhdojë edhe në të ardhmen. Frekuenca e takimeve të ndërsjella dypalëshe, për të cilat kryetari Gashi ka lobuar gjatë mandatit të tij si kryetar i Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, ka rezultuar në avancimin e dukshëm të dialogut midis dy vendeve dhe mbajtjen e Sesionit të Dytë të Përbashkët të qeverive më 18 nëntor të këtij viti.
"Dy parlamentet bashkëpunojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin me sukses edhe në planin multilateral, brenda asambleve ndërkombëtare parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), Këshillit të Evropës dhe Frankofonisë, dhe ndajnë një vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, të integruar në strukturat euroatlantike. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe NATO," thuhet në njoftimin e Kuvendit të RMV-së.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Konjufca, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga Republika e Maqedonisë së Veriut në të gjitha nivelet, që nga pavarësia deri më sot.
Ai theksoi se mbështetja reciproke e vazhdueshme në të gjitha nivelet është reflektim i marrëdhënieve të shkëlqyera, miqësore dhe pa ngarkesa midis dy vendeve.
"Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës ndajnë të njëjtat sfida: afrimin me standardet e BE-së, zbatimin e reformave, përballjen me sfida dhe arritjen e kompromiseve me fqinjët," thuhet në njoftim.
Bashkëbiseduesit ranë dakord që rajoni ynë duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, duke pasur parasysh kontekstin gjeopolitik të kontinentit dhe rëndësinë e rajonit për paqen dhe stabilitetin në Evropë dhe më gjerë.