Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizuan tryezë me përfaqësues të institucioneve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile rreth obligimeve, përgjegjësive e sfidave të mediave gjatë zgjedhjeve.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, tha se KPM-ja është një nga institucionet që kanë përgjegjësitë ligjore më të mëdha gjatë fushatës zgjedhore. Ai tha se KPM-ja ka iniciuar hartimin e një rregulloreje të re për sjelljen e mediave gjatë fushatës zgjedhore, me qëllim të përmbledhjes së të gjitha dispozitave ligjore në një vend në mënyrë që mediat ta kenë më të lehtë t'i njohin obligimet e veta gjatë fushatës zgjedhore.
"Ligji po ashtu kërkon nga vetë mediat që të sigurojnë se të gjitha subjektet politike të certifikuara përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme në fushatë në emisionet gjatë fushatës zgjedhore", theksoi Mehmeti.
Ai tha se mbikëqyrjen e këtij obligimi ligjor, ligji ia ka lënë KPM-së, duke i kërkuar shprehimisht që të nxjerrë një udhëzues përmes të cilit sigurohen kushtet e barabarta dhe kushte mosdiskriminuese për qasjen në kohën e reklamimit.
Drejtoresha e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Pascale Roussy, tha se faktori më i rëndësishëm për mediat në fazën zgjedhore të vendit, është mosdiskriminimi për të gjitha grupet politike dhe individët.
Ajo tha se në njërën anë digjitalizimi masiv i mediave dhe rrjetet sociale kanë ndryshuar drastikisht mënyrën e prodhimit të informacionit dhe konsumit të tij, por, kjo ka edhe anë negative. "Transformimi digjital ka lejuar shpërndarjen e një dezinformimi të madh të shpërndarë me shpejtësi dhe me implikime negative për demokracinë. Ky ndikim negativ ka shkaktuar konfuzion, rritje të shpërqendrimit nga faktet dhe madje edhe në diskreditim të demokracisë si koncept", theksoi Roussy.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi tha se nga muaji gusht KQZ-ja po përgatitet intensivisht për organizimin e zgjedhjeve të reja të 9 shkurtit 2025. Ai tha se KQZ-ja kujdeset që të jetë transparente, sidomos për aspektin e financave te partitë politike në vend dhe ka disa vite që publikon raportet vjetore financiare dhe raporte të fushatave zgjedhore për secilën parti.
"Transparenca financiare e partive politike është e domosdoshme për të siguruar besueshmëri tek qytetarët te partitë politike, por edhe për të garantuar llogaridhënie të qytetarit për paratë që marrin nga buxheti i shtetit apo edhe nga donatorët tjerë", theksoi Radoniqi.
Periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, do të fillojë zyrtarisht më 11 janar 2025.