Kosova nuk heq dorë nga ligji për konfiskimin e pasurisë / Foto: AA

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se me urgjencë kanë adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 29 korrik 2024, Ministria e Drejtësisë ka reaguar me urgjencë duke nisur adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë ligj me qëllim që ta sjellë më vonë atë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se nuk ka pasur nevojë të draftohet një ligj i ri, por janë adresuar vetëm katër çështje të cilat janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën sipas Gjykatës Kushtetuese.

"Më lejoni të sqaroj se ne nuk kemi draftuar një ligj të ri. Pra, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kemi pasur nevojë që të draftojmë një version të ri të ligjit. Por, kemi adresuar vetëm katër çështje të cilat janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën, sipas Gjykatës Kushtetuese", theksoi Haxhiu.

Ministrja u bëri thirrje partive politike që ta mbështesin këtë ligj pas ndryshimeve të bëra në versionin e tij, meqë sesioni vjeshtor i Kuvendit fillon edhe pak ditë.

Ligji për Byronë Shtetërore parasheh që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Madje, përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihet të jenë edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në qershor të këtij viti e shpalli të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në vendim, gjykata vlerësoi në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji, por tha se duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve dhe pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës, Ligji për Byronë Shtetërore "është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij".

AA