Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur tryezën e diskutimit “Raporti i Avokatit të Popullit lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”.
Në këtë tryezë ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Kosovë, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka kërkuar që të ketë më shumë bashkëpunim institucional në lidhje me ofrimin e të dhënave dhe informimit në mënyrë që të kryhen rastet me sukses.
“Ne i kemi ditur pak a shumë sfidat dhe problematikat që na përcjellë kjo fushë, e para që del si konstatim dhe si shqetësim i ngritur nga unë si avokat është mungesa e të dhënave që do të thotë institucionet e Kosovës, nuk arrijnë të mbledhin dhe të fusin informata të sakta ndaj diskriminimit të cilat i pa mundësojnë Avokatit të Popullit ta përmbush ligjin”, tha Qelaj.
Ai tha se e kanë parë shumë të nevojshme që të mbajnë këtë tryezë për të vendosur theksin që kanë institucionet për të rritur kapacitet në drejtim të arritjes së nivelit të tillë që të jetë i plotë.
Qelaj shtoi se “niveli i bashkëpunimit institucional kërkon vëmendjen e gjithkujt këtu, sepse informimi dhe ofrimi i informatave dhe dokumentacioneve përveç që është detyrim kushtetues bënë të arrihen rezultate që ne i synojmë”.
Zv.shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se vlerat fundamentale duhet të mbështeten dhe të mbrohen, në mënyrë që, sipas saj, të mos ketë diskriminim.
“Ne duhet t’i mbrojmë njerezëit e kategorive të ndryshme pavarësisht origjinës, aftësive të tyre dhe ta mbështesim diversitetin derisa mbrojmë vlerat fundamentale. BE-ja ka marrë shumë veprime për të siguruar që mbrojtja kundër diskriminimitt të funksionojë. Kjo është një qasje e njëjtë për të gjitha qeveritë”, theksoi Palatova.
Shefja e Zyrës se Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennesy, potencoi se ky raport është një hap drejt ndalimit dhe luftimit të diskriminimit, që sipas saj, ndihmon Kosovën në integrimin në BE.
Sipas raportit nga 90 ankesa të cilat shkuan në adresën e Departamentit për Mbrojtjen nga Diskriminimi tek Avokati i Popullit në vitin 2023, 40 prej tyre kanë të bëjnë me pretendime për diskriminim. Bazat e diskriminimit të pretenduara në ankesat e pranuara kanë të bëjnë me përkatësinë etnike, gjininë, moshën, aftësinë e kufizuar, mendimet politike, gjuhën, gjendjen shëndetësore, diskriminimin në vendin e punës, e të tjera.
Raporti nga Avokati i Popullit rekomandon që të gjitha institucionet që kanë detyrim të zbatojnë Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi duhet të ofrojnë trajnim për personelin e tyre lidhur me diskriminimin dhe përmbajtjen e këtij Ligji derisa personeli duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e Avokatit të Popullit.