Kosovë: Binjakët Hamëz e Adem Jashari, trashëguesit e emrave të heronjve / Foto: AA

Lufta e Kosovës për liri shkrihet në dy emra simbol të rezistencës së viteve të 90-ta, Adem dhe Hamëz Jashari. Në fshatin Magurë, rreth 12 kilometra larg nga qendra e qytetit të Lipjanit, dy binjakë mbajnë emrat dhe mbiemrat e këtyre dy figurave.

Binjakët nga Magura e Lipjanit, Hamëz dhe Adem Jashari, kanë lindur më 21 maj 2013 dhe vijojnë shkollën fillore, në klasën e pestë, me sukses të shkëlqyeshëm.

Bekim Jashari, babai i binjakëve nga Magura, i cili për rastësi e ka emrin e djalit të heroit Hamëz Jashari, thotë se djemve, të cilët këtë vit mbushin nga 11 vjet jetë, ua vendosi emrat duke pasur në mendje kontributin e madh për kombin nga heronjtë Hamëz e Adem Jashari.

“Pse i kemi vendosur këta emra, thjesht i kemi vendosur sepse i kemi heronjtë tanë të cilët kanë dhënë shumë për vendin tonë. Është Hamëza dhe Ademi. Prandaj, mua ma dha Zoti këtë mundësi, këtë privilegj, sepse gjatë kohës sa ishte gruaja shtatzënë deri sa kanë lindur fëmijët nuk e kemi ditur gjininë e tyre. Mirëpo, unë thashë që nëse janë djem, do t’ua vendosi këta emra dhe deshi Perëndia e kreu punën e tij dhe unë u desh ta kryeja timen”, thekson babai i dy binjakëve për Anadolu.

Ashtu sikurse dy vëllezërit heronj nga Prekazi, Hamëza vëllai i madh dhe Ademi i vogli, kierarkinë e kanë ndjekur edhe binjakët nga ky fshat i Lipjanit, ku njëri nga binjakët për shkak se ka lindur disa minuta më herët, është emëruar Hamëz, ndërsa Ademi është i dyti.

“Si çdo binjak që lind, gjithmonë njëri lind më herët dhe njëri pak më vonë. Ky është Hamëza, ky ka lindur disa sekonda/minuta më herët, kurse Ademi ka lindur pak më vonë dhe e kemi pagëzuar me këtë emër”, thekson Bekim Jashari.

Binjakët Hamëz e Adem Jashari, të cilët thonë se ëndrra e tyre është të kontribuojnë për shtetin e Kosovës, shprehen të lumtur me emrat të cilat babai i tyre i zgjodhi për ta.

“Unë jam Hamëz Jashari, jam 10 vjeç dhe jam në klasën e pestë në shkollën Hajradin Bajrami. Hamëz Jashari ka kontribuar për vendin tonë. Ata kanë qenë heronjtë më të mirë dhe unë kam dëshirë të bëhem sikur ata”, thotë Hamëza.

“Unë jam Adem Jashari, jam në klasën e pestë te shkolla Hajradin Bajrami. Unë bart emrin dhe mbiemrin e Adem Jasharit, heroit tanë”, thekson Ademi, i cili sipas babait edhe në karakter është më i heshtur se Hamëza, veti e cila i dallonte edhe heronjtë nga Prekazi i Skënderajt.

Së bashku me vëllain e tij Hamëz Jasharin, kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, ka marrë pjesë në rezistencën kundër forcave policore–ushtarake serbe të cilët më vonë e sulmuan shtëpinë e tyre në mars të vitit 1998, ku ata ranë heroikisht së bashku me mbi 50 anëtarë të familjes së tyre.

Çdo përvjetor të pavarësisë së Kosovës, krerë të shtetit të Kosovës kujtojnë sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë familjeve të dëshmorëve për liri.

Këtë vit, Kosova shënon 16-vjetorin e pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt 2008. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën, ndërsa Serbia vazhdon me diskursin e saj të mosnjohjes së pavarësisë duke e konsideruar ende Kosovën si "pjesë të territorit të saj".

AA