Kosovë: dënohet me 8 vjet burgim Çasllav Joliq, i dënuar për krime lufte

Kosovë: dënohet me 8 vjet burgim Çasllav Joliq, i dënuar për krime lufte

Në dënim do t'i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që nga 2 qershori i vitit 2022.
Kosovë: dënohet me 8 vjet burgim Çasllav Joliq, i akuzuar për krime lufte / Photo: AA

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 8 vjet burgim Çasllav Joliqin, ish-policin serb të akuzuar për krime lufte në Istog.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Çasllav Joliq u shpall të hënën nga gjykatësi Musa Konxheli, ndërsa në dënim do t'i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që nga 2 qershori i vitit 2022.

Ndaj këtij aktgjykimi, ankesa është e lejuar në afat prej 30 ditësh pasi që aktgjykimi të pranohet me shkrim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022 ngriti aktakuzë ndaj të pandehurit Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998 në lagjen Bllagaq të fshatit Gurakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për te vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejçinoviq dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Çasllav Joliq, Radule (Dule) Pejçinoviq, Darko Pejqinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj te vendi i ngjarjes dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake.

AA