Ejup Maqedonci është emëruar ministër i ri i Mbrojtjes në Kosovë, pas dorëheqjes së ministrit të deritanishëm Armend Mehaj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale se ka pranuar sot kërkesën e ministrit Mehaj për dorëheqje.
"Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës", theksoi Kurti.
Tutje, Kurti tha se ministër të ri e ka emëruar Ejup Maqedoncin "me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione të tjera".
"Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë", theksoi Kurti.
Ai shtoi se me këtë rast ka zhvilluar një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Ejup Maqedonci është ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe deri më tani ka qenë kolonel në FSK, këshilltar i sigurisë i kryeministrit Albin Kurti dhe këshilltar ushtarak i ministrit të deritanishëm, Armend Mehaj.