Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë së Kosovës, sot është dita e fundit e afatit njëmujor për riregjistrimin e automjeteve nga targat e vjetra të Serbisë në targa RKS, por për interes të qytetarëve është kërkuar që afati të shtyhet me 15 ditë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Anadolu se për shkak të interesimit të qytetarëve është dërguar kërkesë në Ministrinë e Brendshme të Kosovës që të shtyhet afati për riregjistrim të automjeteve me lehtësime financiare për 15 ditë. Siç tha ai, tani i takon Qeverisë të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë.
Elshani ka deklaruar se nga 1 nëntori e deri më sot janë riregjistruar më shumë se tre mijë vetura me targa RKS.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, riregjistrimi i automjeteve nga targat e vjetra serbe (KM, PR, PZ e të tjera) në targa RKS do të mund të bëhet nga 1 nëntori deri më 1 dhjetor 2023, me lehtësime financiare që përfshijnë doganën, tarifat administrative në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve, tarifat e targave dhe tarifat për pajisjet me certifikatë regjistrimi automjeti.
Sipas vlerësimeve, në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura të cilat nuk janë riregjistruar me targa RKS. Vitin e kaluar, çështja e targave bëri që serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe nga të gjitha institucionet lokale në veri të Kosovës, përfshirë policinë dhe gjyqësorin.