Kosovë, kërkohet hetim për problemet teknike në KQZ në ditën e zgjedhjeve

Kosovë, kërkohet hetim për problemet teknike në KQZ në ditën e zgjedhjeve

Prokuroria pritet të vërtetojë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.
Kosovë, kërkohet hetim për problemet teknike në KQZ në ditën e zgjedhjeve / Photo: AA

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme lidhur me problemet teknike të faqes elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt.

Nëpërmjet një njoftimi për media, Kryeprokuroria tha se pasi kanë pranuar informacion rreth mosfunksionimit të platformës online të KQZ-së, është kërkuar nga ky institucion marrja e informatave të nevojshme.

"Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mosfunksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo", thuhet në njoftim.

Prokuroria pritet të vërtetojë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

Pak kohë pas mbylljes së kutive të votimit në territorin e Kosovës nga ora 7 e mbrëmjes kur filloi numërimi i votave, nga KQZ-ja u bë e ditur se kanë probleme teknike me faqen e tyre elektronike.

Disa herë u raportua se në pasqyrën e votave të qytetarëve në këtë faqe, kishte edhe gabime të papranueshme, kur një partie i ishin dhënë një përqindje jashtzakonisht e lartë në një komunë.

Pas këtyre problemeve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media afër mesnatës, tha se do t'i bartin të dhënat e votave në faqen elektronike në mënyrë manuale.

AA