Kosovë, KQZ-ja pranon nga OSBE-ja softuerin që avancon procesin zgjedhor / Photo: AA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, softuerin përmes së cilit do të avancohen shërbimet për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, në proceset zgjedhore.

Ky softuer u prezantua në hapësirën e sallës "1 Tetori" në Prishtinë, ndërkohë që është simuluar edhe procesi i votimit.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se janë bërë pjesë aktive e procesit të reformës zgjedhore të udhëhequr nga Kuvendi i Kosovës.

Radoniqi shtoi se KQZ-ja është e përkushtuar në avancimin e procesit zgjedhor dhe se po bën hapa në digjitalizimin e operacioneve zgjedhore.

"Në këtë kohë të zhvillimit të madh të teknologjisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën hapa të konsiderueshëm në digjitalizimin e operacioneve zgjedhore. Gjatë këtyre viteve KQZ-ja në përmbushje të rolit të vet nga Kushtetuta, ka punuar vazhdimisht në përballje me sfidat e kohës dhe për ta përmirësuar edhe më tej organizimin e zgjedhjeve. Softueri i KQZ-së i cili është zhvilluar në mbështetje të OSBE-së në Kosovë, ka për qëllim të avancojë shërbimet e institucionit për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve", theksoi Radoniqi.

Radoniqi falënderoi OSBE-në në ndihmën e dhënë në këtë drejtim që do ta forcojë Republikën e Kosovës.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Micheal Davenport, tha se softueri i ri ka për qëllim profesionalizimin e procesit zgjedhor dhe është veçanërisht i rëndësishëm tani për digjitalizimin e procesit zgjedhor, në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të ndryshuar së fundmi.

Davenport theksoi se softueri është zhvilluar me ndihmën dhe mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, dhe dorëzimi i sotëm paraqet një kombinim të bashkëpunimit shumë intensiv me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë më shumë se një viti të fundit.

"Ky paraqet një hap real përpara kur flasim për përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës, gjë që është shumë e rëndësishme për integritetin e proceseve zgjedhore. Sigurisht që ky moment është shumë i rëndësishëm sepse zgjedhjet janë shpallur dhe të gjithë e dimë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gurthemeli i demokracisë", tha ambasadori Davenport.

Me përmirësimet në këtë proces, votuesve do t’u jepet një arsye më shumë për të besuar në proceset demokratike, derisa KQZ-ja do ta menaxhojë procesin zgjedhor duke përmirësuar saktësinë e të dhënave dhe rezultate në kohë më të shpejtë.

AA