Kosovë, kryeparlamentari Konjufca takohet me homologen sllovene Zupançiq / Photo: AA

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media, kryetari Konjufca e falënderoi homologen sllovene për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë, sidomos në integrimin evropian të Kosovës.

Konjufca tha se me Zupançiq diskutuan sfidat në rajon, sidomos për implikimet e luftës në Ukrainë, ku tha se Kosova dhe Sllovenia janë fuqishëm të drejtuara në anën e lirisë dhe sovranitetit të Ukrainës. Ai tha se Sllovenia po ashtu është nga vendet që është për largimin e sanksioneve nga ana e Bashkimit Evropian (BE) të vendosura ndaj Kosovës.

"Sllovenia për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin është shembull i zhvillimit dhe progresit që ka shënuar, e sidomos për suksesin e saj të treguar si shtet i integruar në strukturat euroatlantike. Andaj, ekspertiza dhe mbështetja politike, por edhe asistenca teknike e institucioneve të shtetit slloven, janë një ndihmë e pakompensueshme për Kosovën, për çka ne u jemi shumë mirënjohës si shtet", theksoi Konjufca.

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, në fjalën e saj tha se janë të përkushtuar për stabilitetin e Kosovës. Ajo tha se Sllovenia është e gatshme ta ndajë me Kosovën eksperiencën që ka me BE-në, derisa shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të përkushtuara në dialog.

"Dialogu është e vetmja rrugë përpara dhe gjithmonë na tregon që është rruga e duhur dhe e rëndësishme që të dyja vendet të jenë të përkushtuara në rrugën evropiane", theksoi Zupançiq.

Ajo theksoi se Sllovenia do ta mbështesë edhe tutje Kosovën drejt BE-së dhe mekanizma të rëndësishëm evropianë. Kjo është vizita e parë zyrtare e Zupançiqit në Kosovë.

AA