Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar fushatën për ngritjen e ndërgjegjësimit kundër të shtënave festive "Festo me zemër, jo me armë”.
Kjo fushatë vjen qëllimisht në fillim të stinës së verës kur fillon në Kosovë ardhja e diasporës edhe organizimi i ahengjeve familjare dhe dasmave dhe ka rritje të të shtënave festive.
Në këtë fushatë morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Policia e Kosovës dhe institucione të tjera.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, tha se e shtëna festive është veprim i shëmtuar, i jashtëkohshëm dhe shenjë e primitivizmit.
Gashani tha se arma nuk e ka vendin në ahengjet familjare dhe gëzime dhe se misioni i ministrisë është siguria dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve.
"Të shtënat gjatë ahengjeve dhe tubimeve familjare janë të ndaluara me ligj, janë vepra penale. Gjithmonë duhet ta mendojmë se një plumb i gjuajtur gjatë festimeve tona mund të kthehet në tokë me forcë të mjaftueshme për të depërtuar në trupin e njeriut dhe për të shkaktuar lëndime të rënda ose vdekjeprurëse", theksoi Gashani.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, tha se në shoqërinë kosovare arma keqkuptohet duke menduar se ajo është forcë dhe e ka vendin në çdo shtëpi dhe se ajo "e bën burrin burrë".
Gërvalla tha se kjo mendësi është e vjetër kur Kosova nuk e kishte lirinë e saj dhe policinë e saj.
"Keqinterpretimi i një tradite shekullore nganjëherë është më i dëmshëm se sa thyerja e traditave të tilla të vjetra të cilat shpesh përdoren për të arsyetuar shkeljet e ligjit dhe për të arsyetuar shkelje të rënda të kodit etik njerëzor që kemi në Republikën e Kosovës", theksoi ministrja.
Ajo shtoi se fuqia e armës qëndron te policia dhe ushtria të cilat më në fund janë në dorë të qytetarëve të Kosovës dhe jo okupatorëve të huaj.
Në kudër të kësaj fushate po ashtu janë mbajtur prezantime në disa shkolla të qyteteve në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe Pejë.