Prokuroria e Kosovës njofton se katër persona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar gjatë ditës së martë.
Sipas prokurorisë, lirimi është bërë në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës.
“Ju njoftojmë se katër persona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar dje (26 shtator 2023), nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nga ana tjetër, në seancën dëgjimore të mbajtur dje, gjyqtari special i Gjykatës në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve për pjesëmarrje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, Ballagosje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Mëngjesin e së dielës së 24 shatorit në një sulm terrorist është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe janë plagosur dy të tjerë.
Pas këtij rasti policia ka ndërmarrë një operacion ku si rezultat kanë mbetur të vrarë 3 nga sulmuesit dhe disa të tjerë janë plagosur.