Pas disa muajsh mungesë në punimet e Kuvendit të Kosovës, deputetët e Listës Serbe në Kosovë janë paraqitur në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës..
Para fillimit të seancës plenare, e cila po mbahet në sallën alternative, të njëjtit shihen duke u nënshkruar në listën e pjesëmarrjes. Hera e fundit që ata u paraqiten në sallë plenare ishte më 8 shkurt. Të njëjtit kanë marrë mandatet e tyre në nëntor të vitit 2022, kur paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje.
Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe një deputet i pavarur serbë vijnë në seanca plenare të Kuvendit të Kosovës vetëm një herë në gjashtë muaj dhe pas nënshkrimit për prezencë nuk qëndrojnë në sallë plenare.
Vlera e pagave të dhjetë deputetëve serb sipas përllogaritjeve është mbi 300 mijë euro.
Deputetët në fjalë nuk kanë pasur asnjë deklaratë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë përfaqësues në asnjë nga komisionet, nuk kanë grup parlamentar, ndërsa Kryesia e Kuvendit është në mungesë të një nënkryetari nga radhët e këtij komuniteti.