Në Bibliotekën Qendrore Universitare është mbajtur Konferenca e Rinisë 2023 me të ftuar studentë dhe të rinj nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Në këtë konferencë morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore Miguel Perestrello, ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit Hajrulla Çeku, deputetë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Kryeministri Kurti tha se për të rejat dhe të rinjtë nën moshën 25-vjeçare, për dy vjet e gjysmë, ka më shumë sesa dyfishim të të punësuarve. Ai tha se Qeveria e Kosovës ofron mundësi për 10 mijë të rinj dhe të reja deri në fund të vitit 2024 punë praktike.
"Që ta zhvilloni veten dhe shoqërinë, ju do të keni përherë përkrahjen e shtetit tuaj, sepse ai është juaji. Prandaj, mos lejoni që të ndikoheni nga indiferenca a individualizmi, çdoherë kur ka konkurrencë le të ketë edhe bashkëpunim", tha Kurti para të rinjve.
Presidenti i Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA) Miguel Perestrello tha se shoqata që përfaqëson ai ka të anëtarësuara mbi 35 shtete të ndryshme, mbi 35 organizata anëtare dhe mbi 8,2 milionë të rinj që kanë Kartë Rinore.
Perestrello tha se shoqata përmes anëtarëve të saj arrin tek të rinjtë dhe të gjitha grupet etnike dhe te të gjitha grupet dhe sfondet socio-ekonomike. "Misioni ynë është për të qenë shoqërisht, kulturalisht, ekonomikisht të bashkuar. Prandaj, këto mund të arrihen përmes ofrimit të shërbimit të Kartës Rinore më cilësore", theksoi Perestrello.
Kosova gjatë muajit dhjetor është bërë anëtare e organizatës ndërkombëtare "Shoqata Evropiane e Kartës Rinore" (EYCA – European Youth Card Association) me seli në Bruksel.
Karta do t'u japë të rinjve kosovarë qasje në mbi 60 mijë zbritje dhe benefite në transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, shërbime dhe produkte kudo në Evropë.
Nga viti 1991, EYCA është partner institucional i Këshillit të Evropës dhe në këtë cilësi merr pjesë në zbatimin e programit të Marrëveshjes së Pjesshme për Mobilitetin e Rinisë përmes Kartës Rinore.