Ministrit të Zhvillimit Rajonal në Qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak pas dyshimeve për veprat penale "sulm" dhe "kanosje".
Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, që ministrit Damka i cili ishte në ndalim për 48 orë, t'i caktohet masa e paraburgimit.
Ministrit Damka dhe të pandehurit tjetër që dyshohet se është përfshirë në këtë vepër u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në afat prej një muaji.
"Masa e arrestit shtëpiak është caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2025 dhe mund të zgjasë deri më datën 09.03.2025. Të pandehurit nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi pa lejen e Gjykatës, si dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit", thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata ka bërë me dije se nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, do t'iu caktohet masa e paraburgimit.
Damka, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), dyshohet se ka sulmuar dy persona, ku njëri prej tyre vjen nga nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka njoftuar se në sulm ishin të përfshirë tre persona, mirëpo vetëm dy prej tyre janë dërguar në ndalim për 48 orë, përfshirë ministrin Damka.
Sipas Prokurorisë, sulmi është bërë për shkak të mosmarrëveshjeje të mëhershme politike.
Ministri nga radhët e komunitetit turk, Fikrim Damka, u arrestua në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, më 9 shkurt, rreth orës 18:00.