Kosovë, miratohet projektligj i ri për zgjedhjet nacionale.    /Foto: AA

Është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës projektligji për zgjedhjet nacionale me rekomandime nga Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian (BE) dhe nga Grupet Parlamentare të partive politike në Kuvendin e Kosovës.

Deri te konkretizimi i një projektligji të tillë sipas aktorëve që kanë punuar me të, janë dashur rreth 10 vjet punë, ku janë mbledhur rekomandimet e vëzhguesve të BE-së në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë nga viti 2010.

Gjithsej 86 deputetë kanë votuar pro projektligjit, me asnjë kundërshtim dhe vetëm me një abstenim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi institucionet ndërkombëtare dhe vendore për kontributin në projektligj.

Ai tha se problemi me proceset zgjedhore në Kosovë nuk ka pasur të bëjë shumë me sistemin zgjedhor sesa me vetë procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Sipas tij, pas secilit proces zgjedhor ka pasur raporte të Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, por edhe të organizatave vendore të cilat kanë shpërfaqur problemet dhe mangësitë me të cilat janë karakterizuar zgjedhjet ku janë dhënë edhe rekomandime për përmirësimin e tyre.

"Ndër çështjet më të rëndësishme të cilat rregullohen me këtë projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votave/fletëvotimeve për kandidatët e subjekteve politike dhe mbështetja financiare shtesë për partitë të cilat krijojnë hapësirë për numër më të madh të deputeteve gra sa është kuota e përcaktuar", theksoi Kurti. Projektligji përbëhet prej 130 neneve.

TRT Balkan / agjencitë