Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media ka njoftuar fillimin e vaksinimit me vaksinën për Human Papilloma Virusi (HPV) për djemtë, duke e cilësuar këtë si sukses të shëndetësisë kosovare.
"Kam kënaqësinë që sot para jush të njoftoj fillimin e vaksinimit kundër Human Papilloma Virusit, apo vaksinës HPV edhe për djem, një hap thelbësor në luftën tonë për parandalimin e sëmundjeve serioze që ndikojnë në ruajtjen e shëndetit të brezave të ardhshëm", u shpreh ministri Vitia.
Ai shtoi se ky virus shkakton shumë lloje të kancereve, që siç theksoi ai, kanë qenë barrë për sistemin shëndetësor kosovar, duke shtuar se me këtë vaksinë do të arrihet që brezat e ardhshëm të jenë të sigurt nga këto sëmundje.
"Politikat shëndetësore janë të orientuara nga parimi i barazisë dhe mundësisë për të gjithë. Sigurimi i vaksinave të tilla për çdo fëmijë dhe të ri pa asnjë kosto shtesë për prindërit, është një arritje e madhe e të gjithë juve dhe sistemit shëndetësor në përgjithësi në vendin tonë", tha ministri Vitia.
Ai sqaroi se vaksinimi me këtë vaksinë për vajzat filloi vitin e kaluar, duke shtuar se është arritur sukses në këtë aspekt dhe se deri tani janë vaksinuar rreth 10 mijë vajza nga grupmoshat e synuara.