Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar sot rezultatet preliminare të partive politike në zgjedhjet e 9 shkurtit nga numërimi 100 për qind i vendvotimeve, apo nga 2.533 vendvotime.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 342.281 vota ose 40,80 për qind, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 184.811 vota ose 22,03 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 147.888 vota ose 17,63 për qind dhe koalicioni AAK – Nisma ka marrë 62.588 ose 7,46 për qind.
Këto janë vota të cilat u hodhën në kutitë e votimeve më 9 shkurt 2025 në territorin e Kosovës dhe tek këto rezultate preliminare nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë territorit të Kosovës (votat e diasporës).
Gjatë ditës së sotme, KQZ-ja bëri të ditur se ka numëruar po ashtu edhe 92,73 për qind edhe të votave për kandidatët për deputetë. Megjithatë, emrat e deputetëve mund të ndryshohen pas numërimit të votave jashtë Kosovës dhe pas tërheqjes eventuale të disa deputetëve të cilët mbajnë postin e kryetarit të komunës e të cilët zëvendësohen me bashkëpartiakë të tyre.
Me rezultatet preliminare, pa përfshirjen e votave me kusht dhe atyre të diasporës, LVV-ja ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja ka marrë 25 ulëse, LDK-ja 20 sosh, ndërsa AAK-ja dhe NISMA 8 deputetë.
Minoritetet kanë gjithsej 20 vende të rezervuara, prej tyre dhjetë për minoritetin serb dhe dhjetë për minoritetet joserbe në Kosovë.