Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ në Policinë e Kosovës po protestojnë në vendet e tyre të punës, duke shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficienteve të pozitave të tyre të punës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, e konfirmoi protestën e cila tha se do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.
Zeqiri tha se në protestë po marrin pjesë mirëmbajtësit e automjeteve të Policisë, mirëmbajtësit e objekteve të Policisë, elektricistë dhe nëpunës të tjerë në kuadër të këtij institucioni të cilët në numër janë rreth 40 punëtorë.
“Kemi të bëjmë me flotën operative të cilët bëjnë mirëmbajtjen dhe servisimin e të gjitha automjeteve të Policisë së Kosovës. Gjithashtu, ata bëjnë edhe bartjen kur ato mbesin në rrugë, do të thotë janë mbikëqyrës i të gjitha automjeteve në Policinë e Kosovës. Si dhe e kemi këtë pjesën tjetër, këta janë staf mbështetës apo shërbyes civil që bëjnë mirëmbajtjen e objekteve policore, mirëmbajtjen e objekteve dhe të gjitha pajisjeve përcjellëse të objekteve policore, duke filluar nga gjeneratorët, kemi elektricistë, specialistë të elektros, specialistë metalpunues, specialistë të ujësjellësit, specialistë të ngrohtores qendrore, specialistë të elektros për gjeneratorë, specialistë të klimave, specialistë të makinerisë dhe të ndërtimit”, tha ai.
Zeqiri theksoi se, edhe përkundër premtimeve, prej gjashtë muajsh nuk janë realizuar kërkesat e tyre për lartësinë e koeficientit në bazë të profesionit që kanë.
Ai ka bërë të ditur se një grup punues është marrë me këtë çështje, për çka kanë qenë të njoftuar edhe Qeveria si dhe Ministria e Brendshme, por sipas tij nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret.
Si pasojë e mosveprimeve të ekzekutivit, kryesindikalisti theksoi se është rritur mllefi te punëtorët të cilët janë të vendosur në realizmin e kërkesave të tyre.
“Ne do të presim a do të ketë një reflektim a jo, përndryshe nëse vazhdon protesta e tyre ne vende e tyre të punës atëherë do të ketë pengesa edhe me realizmin e detyrave të tjera edhe nga pjesa e policisë se uniformuar. Kështu do të kemi pengesa, nuk do të mund të kryhen detyrat e rregullta ashtu siç duhet”, shtoi ai.
Protesta filloi nga fillimi i orarit të punës nga ora 08:00 e mëngjesit dhe mbahet deri në orën 16:00 të pasdites.
Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro. Megjithatë, ky ligj është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese më 7 prill të këtij viti nga Avokati i Popullit.