Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për rritjen prej 20 për qind të pensioneve të kategorive të dala nga lufta.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se të gjitha pensionet e kategorive të dala nga lufta do të rriten për 20 për qind.
Ndërsa ato familje të cilat kanë më shumë se një person, do të rritet përtej 20 për qind.
Murati, ka theksuar se rritje do të ketë edhe kategoria e veteranëve të luftës dhe viktimat e dhunës seksuale me 20 për qind mbi shumën aktuale.
“Do të rriten pensionet familjare për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, duke filluar nga familja që ka një dëshmorë do të jetë 20 për qind, dy apo më tepër dëshmorë rritja do të jetë përtej 20 për qind. Ngjashëm do të jetë edhe për pensionet për familjet e të zhdukurve të UÇK-së. Edhe pensionet invalidore për invalidët e UÇK-së do të rriten të gjitha kategoritë mbi 20 për qind, si dhe shtesat dhe përkujdese për ndihmë për invalidët e UÇK-së”, tha Murati dhe theksoi se rritje do të kenë edhe kategori të tjera të dala nga lufta.