Në takimin e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, Kroacia mori mbështetje unanime për hyrjen në zonën Schengen, ndërsa nuk pati konsensus për Bullgarinë dhe Rumaninë, sipas burimeve diplomatike.
Kroacia bëhet kështu anëtarja e 27-të e Zonës Schengen dhe në më pak se një muaj, nga 1 janari 2023, do të hiqen kontrollet kufitare në pikat kufitare tokësore dhe detare dhe në pranverë, më 26 mars 2023, në aeroporte.
Bullgaria dhe Rumania nuk morën mbështetje sepse kishte mungesë konsensusi.
Paraprakisht zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, tha se në vendimin që do të merret me votë unanime të ministrave të brendshëm do të hapet rruga për përfshirjen e Kroacisë në zonën Schengen, ndërsa mund të refuzohet për "arsye politike" për Bullgaria dhe Rumania.
"Komisioni ka shprehur mendim se të 3 vendet janë të gatshëm teknikisht për këtë. Disa hezitime që kanë mbetur janë politike", tha Schinas.
Ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së u mblodhën në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e fundit të Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të vitit 2022 dhe nën presidencën e radhës të Çekisë.
Austria kundërshton që Bullgaria dhe Rumania të përfshihen në zonën Schengen, zonën e udhëtimit pa viza në Evropë. Nga ana tjetër, Holanda nuk dëshiron përfshirjen në Schengen vetëm për Bullgarinë.
Për dy vendet tregohen si arsye shqetësimet lidhur me korrupsionin, kontrollet kufitare dhe mbizotërimi i ligjit.
Ndryshe, zona Schengen përbëhet nga 26 vende evropiane. Shtetasit e më shumë se 60 vendeve mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen. Ndërkohë, kërkohet vizë për shtetasit e më shumë se 100 vendeve.