Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e zhvilluar me dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë thuaja nuk ka ndodhur asgjë, pas agresionit serb më 24 shtator.
Ai kërkoi që kapitulli i tanishëm për normalizim duhet të marrë parasysh përpjekjen e Serbisë për aneksim të Kosovës.
Kryeministri Kurti gjithashtu kërkoi nga ndërmjetësuesit e dialogut që të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një mundësi për të pasur sukses.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të vazhdojë thuaja se nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vazhdojmë punën dhe këtë status-qou edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh veprimet sulmuese dhe agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Prandaj duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses”, tha Kurti.
Kurti para senatorëve amerikanë renditi argumentet që sipas tij dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Bansjkë.
“Përfshirja e shtetit të Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa, presidenca, inteligjenca, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme për mbështetjen e sulmeve kriminale dhe terroriste në fshatin Banjskë. Po ashtu, kemi dëshmi se i kemi shkëmbyer me partnerët tanë se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e krejt veriut të Kosovës, përmes sulmeve të koordinuara në 37 vende dhe formimit të një korridori me Serbinë për të mundësuar furnizim të vazhdueshme të armëve dhe trupave në veriun e Kosovës”, ka shtuar Kurti.
Shaheen: SHBA qëndron krah Kosovës
Në anën tjetër, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, tha se përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit, duhet të japin llogari dhe të mbahen përgjegjës.
Ajo tha se ShBA-ja qëndron krah Kosovës, derisa tha se rritja e ushtarëve të KFOR-it, siguron ruajtjen e kufirit të Kosovës me Serbisë.
“Mendojmë se përgjegjësit është shumë e rëndësishme që të japin llogari. Të japin llogari sipas ligjit dhe që Serbia të bashkëpunojë në hetimet që po vazhdojnë. Gjithashtu, mendojmë se është kohë e duhur që të theksojmë se stabiltieti afatgjatë i Kosovës dhe rajonit nënkupton një lloj marrëveshje me Serbinë për të adresuar në mënyrë paqësore dallimet mes vendeve tuaja. Është koha kur BE-ja dhe ShBA-ja janë të përqendruara në këtë rajon dhe rëndësinë për të adresuar shqetësimet që ekzistojnë. Shpresojmë që të shihni këtë si mundësi për të shfrytëzuar këtë. SHBA qëndrojnë krah jush”, tha ajo.
Gjatë vizitës së tyre në Kosovë dy senatorët amerikanë të premten takuan edhe presidenten, Vjosa Osmani.