Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se marrëdhënia në mes Kosovës dhe Serbisë më shumë varet nga Serbia, por se kjo nuk duhet të ndikojë te procesi i integrimeve në Bashkimin Evropian.
"Kosova ka interes jetik që procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që pakrasimisht më shumë varet nga Serbia sesa nga Kosova, të jetë i ndarë prej procesit të integrimeve të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti.
Kurti theksoi së, në krahasim me Serbinë, Kosova është kampion në të gjitha aspektet.
“Sa i përket sundimit të ligjit, luftimit korrupsionit, lirisë së mediave, të drejtave të njeriut, cilësisë së zgjedhjeve, Serbia është e pakrahasueshme me Kosovën. Kosova është kampione e Ballkanit. Po ashtu, rritjes ekonomike dhe rishpërndarjes sociale, ne jemi në ngritje e sipër, janë dyfishuar eksportet, investimet e huaja, janë rritur të hyrat tatimore për 2/3, andaj tash gjithë ky progres ekonomik dhe demokratik i Kosovës të ngelet peng nga Serbia, që orkestron dhe financon paramilitarë, që synojnë destabilizimin e Kosovës, siç e pamë në fund të shtatorit të vitit të kaluar, nuk është e drejtë”, shtoi Kurti.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian kërkon fqinjësi të mirë, por ajo mungon dhe se përgjegjësia për këtë gjë është te Beogradi zyrtar.
“Unë e kuptoj që Bashkimi Evropian e dëshiron fqinjësinë e mirë dhe ne jemi për fqinjësi të mirë, por ajo nënkupton edhe njohje të ndërsjellë defakto. E kuptojmë rëndësinë e fqinjësisë së mirë, por kur mungon fqinjësia duhet të konstatohet përgjegjësi për këtë gjë, e kjo nuk është te Prishtina zyrtare, por te Beogradi zyrtar", përfundoi Kurti.