Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këshilltarët e tij dhe disa ministra janë duke shqyrtuar 15 modele për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, të cilat i prezantoi Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit gjatë vizitës së djeshme në komunën e Kamenicës, ai tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian do të kërkohen elemente edhe për pakicat në Kosovë që të jenë në nivelin e duhur.
“Modelet e prezantuara nga përfaqësuesi evropian Lajçak janë zgjidhje të ndryshme për pakicat kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian. Janë 15 gjithsej të njohura. Nuk përmend asnjë të vetme që të mos rrezikohet ose të harrohet njëri prej tyre” tha Kurti.
Mirëpo, siç shtoi Kurti, në vendet e BE-së dihet se, përveç popullatës shumicë, ka edhe minoritete dhe janë përmendur 15 raste të tilla, disa më të reja, disa më të vjetra dhe para ekzistencës së BE-së.
“Por, besoj se këto janë modele nga të cilat ne mund të marrim elementë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë”, theksoi Kurti.
Kurti tha se përderisa këto modele janë duke u eksploruar, nuk do të ketë kompromise në disa aspekte.
“Këshilltarët e mi, disa nga ministrat, merren me ta (modelet) për të parë se çfarë është më e favorshme. Sigurisht që kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që nuk cenohet askund”, tha Kurti.
Më 18 mars, Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ai takim, i cili do të mbahet me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, do të ketë për qëllim finalizimin e Aneksit Zbatues për Marrëveshjen e BE-së në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kurti dhe Vuçiq ranë dakord më 27 shkurt në Bruksel se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për tekstin e marrëveshjes së BE-së.
Takimi Vuçiq-Lajçak në Beograd
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur dje në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.
Shërbimi për Bashkëpunim Mediatik i Presidentit të Serbisë njoftoi se është diskutuar për propozimin evropian, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) dhe hapat e tjerë të nevojshëm që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
“Presidenti Vuçiq theksoi se Serbia punon me përgjegjësi dhe u qaset bisedimeve me përkushtim për të arritur kompromis dhe zgjidhje të qëndrueshme të nevojshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, me kufizime të përcaktuara qartë”, thuhet në njoftim. Ai shtoi se Vuçiq përsëriti se themelimi i AKS-së është "një parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb në Kosovë".