Kurti: Vendimi për targat u mor sipas parimit të reciprocitetit. / Foto: AA Archive

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar vendimin për largimin e regjimit të letërngjitësve/stikerave për veturat me targa të Serbisë, i cili sipas tij ka ardhur pasi është zbatuar në Serbi vendimi për targat RKS.

Kurti theksoi se nga raporti i Policisë së Kosovës është njoftuar se nuk ka pasur incidente në Serbi, për ata që kanë kaluar kufirin me targat RKS.

“Targat RKS qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë. Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024”, shkroi Kurti.

“Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë dhe se nuk ka pasur incidente as pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare”.

“Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, ose pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”.

Ai theksoi se kjo situatë e re i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve.

TRT Balkan / agjencitë