Kuvendi i Kosovës miratoi disa marrëveshje ndërkombëtare /      Foto: AA

Kuvendi i Kosovës ka arritur që pas disa muajsh bojkoti të pjesëmarrjes së opozitës në votimet për marrëveshjet ndërkombëtare të bëjë votat e mjaftueshme për miratimin e tyre në seancë parlamentare.

Marrëveshjet ndërkombëtare të cilat me ligj kërkojnë 2/3 e votave të 120 deputetëve të Kuvendit, përpos shumicës parlamentare i votoi edhe partia më e madhe opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Megjithëkëtë, dy nga marrëveshjet ndërkombëtare, Traktati ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze si dhe Marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar nuk morën mbështetjen e nevojshme të deputetëve për miratim.

Disa nga marrëveshjet e miratuara ndërkombëtare ishin ratifikimi i "amendamentit 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) për programin IPA 2015".

Gjithashtu, Kuvendi miratoi Ligjin për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm dhe Ligjin për marrëveshjen ndërkombëtare me BE-në në atë që quhet Programi i tregut të vetëm.

Po ashtu, në seancë u miratua edhe Marrëveshja ndërkombëtare e Kosovës me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin "Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve".

Votat e mjaftueshme për miratimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare u arritën pas një takimi të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u ka kërkuar deputetëve të opozitës që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare duke thënë se janë 300 milionë euro që janë bllokuar me bojkotin e votimit të tyre në Kuvend.


AA