Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme me rastin e Përkujtimit të viktimave të masakrës në Srebrenicë - Bosnjë e Hercegovinë, ka miratuar Deklaratën për përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë.
Në seancën me rastin e 29-vjetorit të masakrës në Srebrenicë, para deputetëve deklaratën e lexoi nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Bahrim Shabani.
Ai deklaroi se 11 korriku duhet të jetë ditë përkujtimi dhe reflektimi për gjenocidin e bërë nga Serbia në Srebrenicë.
"Caktimi i 11 korrikut si dita e përkujtimit dhe reflektimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, solidarizimi me të mbijetuarit dhe përkujtimi për Srebrenicën të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë, për të parandaluar tragjedi në të ardhmen", tha Shabani.
Ai kujtoi vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) se është kryer gjenocid ndaj boshnjakëve në Srebrenicë dhe tha se gjenocidi nuk duhet mohuar dhe se është e nevojshme të sigurohet drejtësia për viktimat.
Në emër të Qeverisë së Kosovës foli zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi e cila tha se në Srebrenicë janë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
"Vuajtjet e tyre na kujtojnë rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe fanatizmit si dhe përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në drejtësi, të vërtetë dhe pajtim", tha Rexhepi.
Ajo ka kujtuar se Qeveria e Kosovës dje miratoi propozimin për shpalljen e 11 korrikut si Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. 84 deputetë ishin prezentë në sallën alternative ku po mbahet seanca e Kuvendit dhe të gjithë e mbështetën deklaratën.
Deputetët e nisën seancën me një minutë heshtje për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës. Seanca e jashtëzakonshme u thirr me kërkesë të Grupit Multietnik të Kuvendit.