E ardhmja evropiane e Serbisë dhe Kosovës është e pamundur pa marrëdhënie të mira mes Beogradit e Prishtinës dhe nuk ka normalizim të marrëdhënieve pa dialog. Është e rëndësishme për gjithë rajonin, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është sfida më strategjike për gjithë Ballkanin Perëndimor, tha Mirosllav Lajçak, i dërguari special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Ai sot në Budva mori pjesë në konferencën e sigurisë 2BS Forum, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Lajçak ka theksuar se gjatë qëndrimit në Nju Jork ka biseduar për zhvillimet në veri të Kosovës me presidentët e gjashtë vendeve të rajonit.
“Të gjithë ishin të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. E bën rajonin të duket keq dhe nuk është mirë për zgjerimin e BE-së. Më thanë se zgjon fantazmat e së kaluarës. Rajoni do të duhet të fillojë të flasë për të ardhmen”, tha Lajçak.