Lansohet iniciativa "Dritarja për investime të diasporës“ në Kosovë. / Foto: AA

Është lansuar në Prishtinë iniciativa "Dritarja për Investime të Diasporës", organizuar nga Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave, e Punës dhe e Transfereve, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore me qëllim tërheqjen e investitorëve nga mërgata kosovare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se lansimi i kësaj iniciative është hap që dëshmon për krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës në Kosovë. Ai tha se me këtë iniciativë krijohen mundësi që mërgata të shndërrohet nga investitorë pasiv me instrumente financiare tërthorazi, në investitorë aktiv që investojnë drejtpërdrejt dhe krijojnë vende të reja të punës.

"Përmes kësaj dritareje do të mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro ndërkaq e tërë dritarja parashihet që të arrijë deri në 100 milionë euro. Pra, një bashkëatdhetar që dëshiron të investojë në Kosovë do të ketë tani shumë më të lehtë të marrë kredi investuese të garantuar nga Fondi për Garanci Kreditore dhe kësisoj të bëhet pjesë e iniciativës tonë zhvillimore", theksoi Kurti.

Ai tha se mërgimtarët kosovarë gjithnjë e më shumë po i shohin vendet evropiane si të përkohshme për jetesë, ndërsa po mendojnë të kthehen për të jetuar në Kosovë.

Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, tha se "Dritarja për Investime të Diasporës" do të jetë një mundësi për të rritur investimet e mërgatës së Kosovës.

Ai tha se Qeveria do të ofrojë 8 milionë euro, ndërsa Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ndajë 2 milionë euro për kapitalin e kësaj iniciative dhe me këto do të mundësohet marrja e kredisë deri në 100 milionë që mund të lëshohen për mërgatën e interesuar që të kthehen për investim në Kosovë.

"Po e ndërmarrim këtë hap që bashkatdhetarët tanë të kenë mundësi për të investuar e të bëhen pjesë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit", tha Murati.

Aktiviteti u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore për kapitalin që do t'i dedikohet kësaj dritareje.

TRT Balkan / agjencitë