Lirohen tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga Serbia / Foto: ATA

Tre policët kufitarë të Kosovës të cilët janë rrëmbyer më 14 qershor nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës janë liruar sot në Serbi.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë dhe mediat në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban publikoi në Twitter se lirimi i policëve vjen pas kërkesës së tij gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq javën e kaluar.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t'i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. E vlerësojmë shumë hapin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, të cilën ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”, publikoi Orban.

Rrëmbimi i policëve ngriti tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dy javët e fundit. Autoritetet kosovare publikuan prova se policët janë rrëmbyer nga xhandarmeria serbe brenda territorit të Kosovës.

Kurti: Serbia duhet të mbajë përgjegjësi Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka konfirmuar lirimin e tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga Serbia. Ai ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi. Kurti ka shkruar se ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe si i tillë duhet qortuar.

“Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Kurti.

Rama: Me forcën e arsyes të nisë de-eskalimi përfundimtar Kosovës-Serbi

Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është një lajm i vonuar, po gjithësesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut.

“Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”, shkruan Rama në Twitter

TRT Balkan