Kryetari i ri i Mitrovicës Veriore Erden Atiq më 19 maj (e premte), do të bëjë betimin në objektin e Komunës në veri të Mitrovicës. Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, sipas ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka dërguar informacione në ministri se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit.
“Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”, ka thënë Krasniqi.
Kryetarët e tre komunave të tjera veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ende nuk e dinë ku dhe kur do të organizohen seancat për betimin e tyre.
Duke folur për betimin e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore është deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj shqiptarë nuk duhet të jetë arsye për tensione në atë pjesë.
“Nuk ka asnjë arsye që të ketë tensione në veri. Unë ftoj të gjithë qytetrarët të cilët jetojnë në këto komuna që të mos bien pre e propagandës. Këta kryetarë do të jenë aty për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë së tyre dhe do të punojnë me institucionet qendrore. I ftoj të mos zgjedhin dhunën dhe tensionet si mjet. Ne si institucione jemi këtu për të gjithë qytetarët, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët dhe të gjitha komunitetet tjera jo shumicë. Duhet të punojmë së bashku që qytetarët të mbrohen nga strukturat ilegale të cilat po shkaktojnë dhunë dhe frikë. Institucionet e Kosovës janë aty për t'i mbrojtur qytetarët dhe jo për ta bërë të kundërtën’, theksoi Osmani.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, fitues dolën Erden Atiq (VV), Lulzim Hetemi (VV), Ilir Peci (PDK) dhe Izmir Zeqiri (PDK).