Meloni: Ballkani Perëndimor nuk guxon të mbetet gjatë jashtë BE-së / Foto: AA

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi të martën se Bashkimi Evropian duhet ta ketë prioritet integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe nuk duhet të lejojë që ky rajon të mbetet gjatë jashtë BE-së.

Këtë e tha gjatë konferencës “Italia – Ballkani Perëndimor” në Triestë, organizuar nga Ministria e Jashtme e Italisë e me qëllim përafrimin e politikës italiane me rajonin.

“Si shtet fqinj, Italia është e vetëdijshme për rëndësinë jetike të këtij rajoni për ardhmërinë e Evropës. Nga përvoja e dimë se çfarëdo që ndodh andej Adriatikut, na prek edhe ne”, tha Meloni gjatë videolidhjes në konferencë.

Ajo tha se dinamika aktuale në botë, pas luftës ruso-ukrainase, e bën të domosdoshme një konferencë të tillë.

“Evropa ka përgjegjësi të madhe ndaj Ballkanit. Duhet të rikonfirmojnë ndjenjën e përkatësisë të këtij rajoni, botës sonë dhe vlerave tona. Ky ka qenë mesazhi im në Samitin BE-Ballkani Perëndimor i mbajtur gjatë dhjetorit në Tiranë”, tha kryeministrja italiane.

Ajo nënvizoi se nuk mund të jetë e kënaqur vetëm me masat ekonomike për rajonin, por BE-ja duhet urgjentisht të krijojë vizion të ri për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, Brukseli nuk mund të lejojë që kjo pjesë strategjike e kontinentit të mbetet gjatë jashtë BE-së.

AA