Kreditë për banesa ose për konsum janë dy kategoritë e borxhit që qytetarët e vendeve të rajonit marrin zakonisht nga bankat komerciale.
Në vijim TRT Balkan paraqet shumat totale të kredive që kanë qytetarët, si dhe mesataren e borxhit të çdo qytetari sipas këtij parametri.
Mbi 2.350 euro borxh për kokë banori në Shqipëri
Banka Qendrore e Shqipërisë prezanton të dhënat me totalin e kreditimit të individëve për të gjitha nevojat në baza vjetore. Për shembull, në tre tremujorët e parë të vitit 2022, familjeve në Shqipëri u janë dhënë mbi 715 milionë lekë ose rreth 6 milionë euro kredi. Në vitin 2021 për ekonomitë familjare janë paguar kredi prej 7,3 milionë euro.
Por, këto janë të dhëna të dy viteve të fundit. Sipas kërkimeve dhe të dhënave të disponueshme nga www.ceicdata.com, totali i kredive në Shqipëri në fillim të vitit 2023 shkon në 6,6 miliardë euro ose çdo qytetar është në borxh me një mesatare prej 2.357 euro.
Borxh i lartë edhe në Kosovë
Në faqen e Bankës Qendrore të Kosovës mund të gjeni të dhëna për kreditimin total dhe për kreditimin e qytetarëve për konsum të përgjithshëm. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se 653.634 qytetarë kanë kredi në banka. Totali i borxhit të qytetarëve është mbi pesë miliardë euro dhe nga kjo del se në këtë bazë çdo qytetar i Kosovës është në borxh mesatarisht 2.659 euro.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë borxh mbi 3,2 miliardë euro
Sipas të dhënave të BPRMV-së, në dhjetor të vitit të kaluar personave fizikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për arsye të ndryshme u janë dhënë kredi në vlerë prej 207,2 milionë denarësh ose rreth 3,3 milionë euro. Shumica e tyre janë kredi konsumatore (112 milionë denarë ose 1,8 milionë euro) dhe kredi për banim (79,5 milionë denarë ose rreth 1,3 milionë euro). Kredia për banesa u rrit me 12,7 për qind në vitin 2022 dhe me 1,2 për qind në dhjetor. Kredia konsumatore u rrit me 6,3 për qind në vitin 2022 dhe me 0,7 për qind në dhjetor.
Këto dy kategori janë më të përfaqësuara në totalin e kredive që qytetarët kanë për bankat, të cilat llogariten në mbi 3,2 miliardë euro. Kjo do të thotë se çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut ka mesatarisht 1.700 euro borxh.
Çdo qytetar i Serbisë ka 1.800 euro borxh
Të dhënat statistikore të Shoqatës së Bankave të Serbisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar çdo qytetar i këtij vendi kishte mesatarisht 1.800 euro borxh.
Sipas këtyre të dhënave, qytetarët e Serbisë kanë marrë hua nga bankat 12 miliardë euro, kurse ekonomia rreth 16 miliardë euro. Rritja më e madhe është te kreditë në para të gatshme, pra 330 milionë euro, përkatësisht 6,2 për qind. Ato përbëjnë 46,6 për qind të totalit të kredive.
Qytetarët e BeH kanë borxh 300 euro më pak
Qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës u detyrohen bankave 11 miliardë marka të konvertueshme ose 5,5 miliardë euro. Sipas të dhënave nga shoqatat e bankave në BeH, çdo qytetar i rritur ka borxh mbi 3.000 marka të konvertueshme, pra 1.500 euro. Më shumë se gjysmë milioni qytetarë të Bosnjës e Hercegovinës përdorin minusin e lejuar. Depozitat e tyre në banka arrijnë në 7 miliardë euro, nga të cilat 5 miliardë euro përdoren si kredi.
Malazezët me borxh 2.500 euro
Afro 150.000 qytetarë të Malit të Zi kanë kredi. Totali i borxhit të qytetarëve ndaj bankave komerciale shkon në 1,5 miliardë euro. Ato përbëjnë 43,36 për qind të totalit të kredive në Mal të Zi, të cilat arrijnë në 3,4 miliardë euro. Duke i marrë parasysh këto të dhëna për borxhin total të qytetarëve të Malit të Zi prej 1,5 miliard eurosh, mesatarja e borxhit në Mal të Zi arrin në 2.500 euro.