Mijëra protestues kërkojnë paga më të larta në Kroaci.  / Foto: AA

Mbi një mijë regjistrues dhe nëpunës gjyqësorë nga gjykatat anembanë Kroacisë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë dhe Parlamentit për të njoftuar se do të vazhdojnë grevën e tyre katërjavore nëse Qeveria nuk i përmbush menjëherë kërkesat e tyre.

Pas negociatave të pasuksesshme me Ministrin kroat të Drejtësisë, Ivan Malenica, Sindikata e Zyrtarëve dhe Punonjësve Shtetërorë dhe Lokalë të Kroacisë (SDLSN) mbajti një protestë paqësore në sheshin "Shën Marko", si vazhdimësi e grevës së nisur më 5 qershor për të mbrojtur dhe promovuar interesat ekonomike dhe sociale të anëtarëve të saj.

Të tubuarve iu drejtuan disa zyrtarë të cilët përshkruan përvojat e tyre në vendet e tyre të punës dhe shumë prej protestuesve theksuan se kanë paga prej 500 eurosh, që është nën pagën minimale të përcaktuar në Kroaci.

Ata paralajmëruan se për shkak të pagave kaq të ulëta, një numër i madh i nëpunësve gjyqësorë dhe regjistruesve braktisin punën e tyre dhe kalojnë në punë të tjera më të paguara, prandaj punëtorët e mbetur në gjykata kryejnë detyra për më shumë punonjës.

"Ministër Malenica, largohu dhe jep dorëheqje sa nuk është vonë", u tha nga foltorja në sheshin "Shën Marko", ndërsa protestuesit brohoritën "Dorëheqje, dorëheqje".

4 javë protesta të sindikatave

Sindikatat janë në grevë prej katër javësh, 18 ditë pune, për shkak të pagave të pamjaftueshme, ndërsa në përputhje me ligjin për grevë, kryhen vetëm punët e nevojshme.

Përfaqësuesve të SDLSN-së dje iu ofrua një Memorandum Mirëkuptimi në Qeverinë e Republikës së Kroacisë, sipas së cilës do të rriten pagat e zyrtarëve gjyqësorë nga viti 2024, nga 10 deri në 15 për qind, pas një analize gjithëpërfshirëse, por sindikalistët nuk u pajtuan me të.

Zyrtarët e gjykatës dhe regjistruesit nga e gjithë Kroacia, nga Vukovari në Dubrovnik, u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë kroate, për të kërkuar rritje të menjëhershme të pagave. Ata kërkojnë rritje mesatare prej 400 euro neto, prandaj kanë vazhduar grevën e tyre dhe organizuan një protestë të madhe në Zagreb.

"Nuk do të na thyeni", "Paga jonë, kësti i dikujt tjetër", "Të gjithë për një, rritje për të gjithë", "Të mbingarkuar, të papaguar, të lënë pas dore. Mjaft!", "Nga 500 shtesa nuk kam asnjë", "Padrejtësia në Pallatin e Drejtësisë", ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit.

TRT Balkan / agjencitë