Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut viziton Odën e Tregtisë së Ankarasë / Photo: AA

Ministri i Ekonomisë dhe i Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, dhe delegacioni që e shoqëronte vizituan Odën e Tregtisë së Ankarasë (ATO) dhe takuan biznesmenë nga kryeqyteti Ankara.

Sipas deklaratës së Odës, ministri Durmishi mori pjesë në takimin e organizuar nga kryetari i ATO-s, Gürsel Baran dhe kryetari i Asamblesë së ATO-s, Mustafa Deryal. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të sektorëve nga shumë linja biznesi, nga mbrojtja në automjete, nga hekuri dhe çeliku te prodhimi i makinerive industriale, nga makineritë bujqësore tek industritë kimike dhe farmaceutike.

Në fjalën e tij, Baran tha se shumë sektorë në Maqedoninë e Veriut konsiderohen si zona potenciale investimi nga sipërmarrësit turq. Duke tërhequr vëmendjen për investimet e kompanive turke në këtë vend, Baran tha: "Ka më shumë se 100 kompani turke që operojnë në sektorë të tillë si banka, ndërtim, shëndetësi, menaxhim aeroporti, arsim, tekstil dhe veshje të gatshme, qumësht dhe produkte qumështi, sigurime, menaxhim hotelesh dhe turizëm në Maqedoninë e Veriut. Shuma e tyre e investimit është 1,5 miliard dollarë".

"Mund të thuhet se vendet tona kanë potencial të konsiderueshëm si në tregtinë e ndërsjellë ashtu edhe në tregtinë me vendet e treta, pasi Maqedonia e Veriut është qendër e rëndësishme tranziti dhe shpërndarjeje në Ballkan", tha Baran. "Duam të forcojmë lidhjet e forta përmes tregtisë dhe investimeve"

Duke theksuar lidhjet e forta historike dhe kulturore midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, Baran kujtoi se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është në fuqi midis dy vendeve që nga 1 shtatori 2000.

"Pavarësisht të gjitha këtyre mundësive dhe afërsisë, vëllimi tregtar midis vendeve tona është nën 1 miliard dollarë. Ne besojmë se ka potencial shumë mbi këtë shifër dhe ne duhet të aktivizojmë këtë potencial. Duam të forcojmë lidhjet e forta dhe urën e zemrave mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut me tregti dhe investime", tha Baran.

Ministri Durmishi u bëri thirrje për investime biznesmenëve turq

Ministri i Ekonomisë dhe i Punës i Maqedonisë së Veriut, Durmishi, u dha informacion biznesmenëve turq për mundësitë e investimit në Maqedoninë e Veriut.

Duke theksuar se synojnë të dyfishojnë importet dhe eksportet mes dy vendeve, Durmishi tha: "Kur të vini në vendin tonë si investitorë, ne jemi të gatshëm të japim mbështetjen që mundemi si qeveri", tha ai.

Durmishi theksoi se ka potencial të lartë në sektorin e energjisë, metalit dhe ndërtimit në Maqedoninë e Veriut. Në takim, drejtori i përgjithshëm i Halkbank, Osman Arslan, dha informacione për strukturimin e tyre në Maqedoninë e Veriut.

TRT Balkan / agjencitë