Këshilli i Atlantikut të Veriut u takua sot (29 shtator 2023) për të diskutuar situatën në Kosovë. Aleatët shprehën shqetësimin e tyre të thellë për tensionet në rritje në veri të Kosovës.
“Misioni KFOR i NATO-s mban një prani të dukshme dhe të shkathët në mbarë Kosovën. Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në komunikatën e Këshillit Atlantik të Veriut.
Sipas tyre që nga maji, ata kanë përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale.
“Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, thuhet më tej në komunikatë.
KFOR-i vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të depërshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, kështu e përfundojnë qëndrimin e tyre nga Këshillit Atlantik i Veriut.